Zbulohet paga e Zidane në Real Madrid

Zinedine Zidane u rikthyer pas 10 muajsh te Real Madrid, tashmë me status tjetër. Është heroi i tre Champions-ve të fituar radhazi dhe imazhi i tij si trajner është krejt tjetër.

“El Confidencial” ka hedhur dritë për herë të parë në lidhje me pagën që Zidane do përfitojë në kontratën e re me “Los Blancos” deri në vitin 2022.

Paga neto do të jetë 12 milionë euro dhe një seri bonusesh do jenë për francezin, që do e rrisin pagën e tij deri në fund të kontratës. Të ardhurat e tij do të ndikohen edhe në bazë të rezultateve që do të arrijë përgjatë këtyre tri viteve si trajner.

Florentino Perez kishte arritur marrëveshjen me Jose Mourinho, por reagimi i lojtarëve bëri që portugezi të mos rikthehet në Madrid. Për të ishte programuar një pagë pothuajse sa dyfishi i Zidane, teksa tek Manchester United “Special One” përfitonte 20 milionë euro në sezon.

Një tjetër kuriozitet që ka zbuluar media spanjolle është se Zidane e filloi karrierën si trajner tek të rinjtë e Real Madrid me 2.5 milionë euro në sezon, kur fitoi Champions-in numër 11 për Real-in paga i shkoi në 5.5 milionë euro, ndërsa kur u largua ishte 7.5 milionë.

Në katër vite si trajner Zidane ka shkuar nga 2.5 milionë në 12 milionë euro pagë si trajner. /Telesport

SHPËRNDAJE