Thaçi: Serbia do të jetë e detyruar ta njohë Kosovën

Thaçi thotë se sivjet beson se do të ketë një marrëveshje finale Kosovë-Serbi.

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se nuk ka arsye dhe nuk guxohet që të prishet raporti i Kosovës me Amerikën.

“Argumentet që të na mbështesin kanë çaluar, por nuk do të ndodhë prishja. Ka këshilla miqësore që të lëvizet përpara dhe të hapet një perspektivë për të ardhmen euro-atlantike.
“Politikat ditore, javore dhe elektorale nuk do ta cenojnë raportin strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, apo vende tjera perëndimore”, ka thënë Thaçi.

Thaçi në Zonën e Debatit në klankosova ka theksuar se situata e tanishme e ngjall një entuziazëm në Beograd.

“Nga ajo që shoh dhe që kam parë në rrafshin diplomatik, Serbia është për atë që të mos ndodhë dialogu. Në Serbi ka entuziazëm me ngërçin në Kosovë. Nëse vazhdon dialogu, Serbia do të detyrohet që ta njohë Kosovën”.

Sa i përket taksës 100 për qind, Thaçi ka thënë se është bërë – monotone.

“Kërkesa e Bashkësisë Ndërkombëtare është që t’i respektojmë këshillat që t’i hapet mundësi vazhdimit të dialogut. Ky proces nuk mund të zhbllokohet njëanshëm dhe është i patolerueshëm kushtëzimi i Beogradit. Kosova do të ecë paralel me Bashkësinë Ndërkombëtare. Kam besim, sepse kam qëndruar afër me partnerët tanë dhe se gjërat e tilla do të tejkalohen”.

“Kanë një zhgënjim në raportet tona bashkëpunuese, por s’do të ketë cenim. Janë të njohura botërisht kërkesat e amerikanëve, europianëve, gjermanëve. Kur fillon të preket vija e kuqe, atëherë do të ndërhyjnë”.

Ai ka thënë se sivjet beson se do të ketë një marrëveshje finale Kosovë-Serbi.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE