Shkruan Resul Sinani: Kjo është ikja më e dhimbshme

Shkruan: Resul Sinani

PO, shqiptarët kanë ikur nga trojet veta ku janë autoktonë, prej shekujsh, por kanë ikur prej të detyruar nga okupatorët dhe dhuna e ushtruar prej tyre!

PO, pa ndalur edhe ditëve e viteve të fundit, shqiptarët, në Shqipëri e Kosovë, po ikin nga trojet e veta, por kësaj radhe nuk janë të detyruar nga okupatorët, por nga mungesa e perspektivës në atdheun e tyre.

Prandaj, kjo është ikja më e dhimbshme dhe na dhemb më së shumti, sepse është ikja që po shkaktohet nga vet NE. Kur them po shkaktohet, nuk e kam fjalën se u shkaktua brenda sekondash si një termet, por për të mbërritur në këtë gjendje, është kontribuar prej dekadash, apo më mirë të them është gabuar prej dekadash, me theks të veçantë nga klasa politike, ajo që ka qenë vendimmarrëse dhe që është dashur të merrte vendime në të mirë që shtetit dhe të mirëqenies së pjesëtarëve të tij, por që ka bërë të kundërtën.

Sigurisht që arsyet janë aq të shumta sa që nuk mund të përmblidhen në një status, mirëpo të gjitha ato kanë sjellë një gjendje psikologjike të pashpresës për të ardhmen, gjendje të pasigurisë për të tashmen dhe për të gjitha ka një emërues të përbashkët: dështim i klasës politike për t’iu përgjigjur interesave të përgjithshme të vendit dhe të shoqërisë, duke devijuar e degjeneruar vetëm në përkujdesje ndaj interesave të familjarëve dhe militantëve të partisë.

Në këtë mënyrë është zhvlerësuar gjithçka përpara ngjyrës partiake. Ti mund të jesh personi më i përshtatshëm dhe më i merituar për një vend pune, por kjo nuk ka vlerë përballë ngjyrës së partisë. Kështu, vit pas viti, institucionet shtetërore e ndërmarrjet publike, janë mbushur me militantë të të gjitha ngjyrave, të cilët ngjyrën e partisë e kanë më të rëndësishme se çdo gjë. Këtu është zanafilla e të gjitha devijimeve të tjera, këtu është edhe arsyeja e gjendjes në arsim, në shëndetësi, në ekonomi, kulturë e çdo sferë të jetës.

Prandaj, është momenti i fundit që të gjithë pa përjashtim, t’i thërrasim mendjes dhe të dalim mbi interesat personale për t’u vënë në shërbim të të përgjithshmes. Kjo mund të arrihet, vetëm duke ndërruar këtë klasë politike të korruptuar dhe të komprometuar skajshëm dhe e cila na ka bindur prej vitesh se vetëm kështu di.

Si shoqëri, nëse nuk jemi në gjendje që ta bëjmë këtë ndryshim, atëherë, nuk na mbetet tjetër, pos t’u urojmë rrugë të mbarë atyre që të parët e marrin valixhen dhe largohen nga vendi, në kërkim të një mundësie për jetë më të mirë. Mirëpo ‘çka vjen n’kojshi, prite n’shpi’, për fat të keq!.

SHPËRNDAJE