Shkruan Bekim Jashari: Kosova para vendimeve të mëdha

Shkruan: Bekim Jashari

Nga përmbajtja e letrës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, drejtuar dy presidentëve, të Kosovës dhe të Serbisë, respektivisht Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit ku, mes të tjerash, përmendet edhe dollia për ta festuar momentin e mundshëm historik në Zyrën Ovale, ekziston një përshtypje e përgjithshme se jemi afër një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe fqinjit tonë verior.

Ky i fundit, historikisht, veçmas në periudhën e pasluftës, ka shpërfaqur djallëzi duke i vendosur Kosovës ndërkëmbëza në rrugëtimin e saj të konsolidimit si shtet, të pranuar nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Vaji në buzë i Serbisë është i kuptueshëm, sikurse është e kuptueshme edhe gatishmëria e saj, që nëpërmjet shërbimeve të saj, grupeve kriminale dhe njerëzve të caktuar, të nxisë probleme, në mënyrë që Kosova të paraqitet e paaftë si shtet.

Kosova dhe populli i saj, megjithatë, kanë treguar pjekuri edhe më parë dhe vazhdojnë të bëjnë edhe tani kur Serbia mori dy goditje të rënda: vendimi për taksën prej 100 përqindësh dhe ai i ushtrisë. Për t’i lënë anash rregullat e tregtisë së lirë dhe CEFTA-n, Kosova me këtë vendim të taksës ndihmon prodhimin vendor.
Unë jam ithtar i tregtisë së lirë, por jam edhe i konsumimit të prodhimeve tona, sepse zhvillohet ekonomia e vendit. Sado që mund t’i dhembë Serbisë, çështja e ushtrisë është produkt i NATO-, dhe vendimi për të shënon fillimin e një rrugëtimi tjetër të shtetit tonë – anëtarësimin në këtë organizatë ndërkombëtare ushtarake.

Ndërkaq, në debatin e zhvilluar rreth temës së arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e ku u dëgjuan propozime për shkëmbim territoresh, nga e cila u shfaqen shenja nga disa zyrtarë të lartë të fuqive të mëdha botërore të fërkimit të duarve nga kjo ide, pastaj korrigjim kufijsh dhe tema të tjera, kushdo që do ta ketë fatin për nënshkrim të asaj marrëveshjeje, duhet t’i ketë parasysh gjakun e derdhur dhe vuajtjet e shqiptarëve. Në këtë kontekst, udhëheqësit shtetërorë duhet të jenë shumë të kujdesshëm në procesin e finalizimit të marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova, edhe ashtu e copëtuar ndër shekuj, ka kufijtë e saj me të cilët është njohur ndërkombëtarisht. Nuk guxoj të mendoj se presidenti i vendit, apo edhe bartësit e institucioneve të larta shtetërore, do të bënin ndonjë gabim të pafalshëm kur është në pyetje marrëveshja përfundimtare në mes të dy shteteve.
Vendimi përfundimtar për arritjen e marrëveshjes me Serbinë do të jetë i vështirë. Në këtë rrafsh, i gjithë spektri politik në Kosovë dhe populli i saj duhet të jenë unikë më shumë se kurrë, përballë Serbisë, si lojtare dominuese në rajon, të cilën Bashkimi Evropian (BE), mbase për shkak përpjekjeve për të mos lënë hapësirë për ndikim të Rusisë në këtë pjesë të Ballkanit, e ka shpërblyer më shumë karshi Kosovës.

Ende më keq, ne si shtet ende po vuajmë nga mosliberalizimi i vizave, të izoluar si në kafaz! Me gjithë vlerësimin për angazhimin e shteteve mike të Kosovës, për mbështetjen e tyre për ta forcuar shtetin e Kosovës, Bashkimi Evropian (BE), që edhe kishte deklaruar për përmbushje të kritereve për liberalizim, sikur ka kryer eksperimente me ne në këtë aspekt. Megjithatë, si shtet kemi shumë punë që t’i rregullojmë punët e brendshme, ta forcojmë edhe më shumë Kosovën, ekonominë e saj, të krijojmë mundësi për investime nga jashtë, të angazhohemi më shumë për zbutje të papunësisë, për hapje të fabrikave dhe ta avancojmë inkuadrimin për të hyrë në Bashkimin Evropian (BE) dhe në institucione të tjera ndërkombëtare shumë të rëndësishme për të ardhmen e shtetit tonë.

(Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për gazetën “Epoka e re”)

SHPËRNDAJE