Hulumtim: Kjo është skuadra që ka bërë startin më të dobët në Superligë në gjashtë vitet e fundit

Që pas pranimit në UEFA dhe FIFA, futbolli në Kosovë ka filluar të marrë një formë tjetër. Ekipet po organizohen më shumë, lufta për pozitat e para po rritet gjithnjë e më shumë dhe futbolli po bëhet më cilësor.

Por si në çdo ligë, edhe në Kosovë ka ende probleme në organizim dhe gjithmonë shfaqet një skuadër në fillim të sezonit që ka probleme me organizim dhe kjo më pas po kushton me shumë probleme tjera zingjirore.

Shkarkimi i trajnerëve, organizmi i dobët, mungesa e pagave, problemet trajner – kryesi, bojkotimi i ndeshjeve ende po vazhdojnë në Kosovë.

Definitivisht befasia e këtij stinori është skuadra e KEK-ut. ‘Elektricistët’ pasi fituan Ligën e Parë, u ngjitën në Ipko Superligë me shumë entuziazëm dhe me shumë objektiva, por dështuan totalisht që në start të garës. Largime të shumta nga radhët e KEK-ut ndikuan që klubi të mos arrijë mobilizimin e madh dhe kjo u dëshmua edhe në fushë. Skuadra e KEK-ut ka grumbulluar vetëm një pikë në pjesën e parë të sezonit, kur barazoi me Ballkanin me rezultatin 2-2. Falë rezultateve tepër të dobëta, pra një barazim dhe 16 humbje në 17 xhirot e Superligës, KEK-u pozicionohet në vendin e fundit në tabelë dhe pushon në dimër si skuadra më e dobët.

Më të dobëtit në gjashtë vitet e fundit…

>

1 pikë, nuk duhet më shumë koment që të shihet puna e KEK-ut në këtë start të sezonit. Pas startit katastrofal, KEK-u ka arritur një rekord të zi në futbollin kosovar. ‘Elektricistët’ janë ekipi që kanë startuar në mënyrën më të dobët Ipko Superligën e Kosovës në gjashtë stinoret e fundit. GazetaBlic ka hulumtuar të gjitha rezultatet e skuadrave në startet e gjashtë sezoneve të fundit dhe skuadra e KEK-ut këtë stinor,  Vllaznia e Pozheranit edicionin e kaluar dhe Hajvalia dy stinore më parë janë të vetmet që kanë mbyllur pjesën e parë të sezonit me pikë njëshifrore.

Më poshtë keni pikët e grumbulluara nga skuadrat me startin më të dobët në pesë vitet e fundit:

  • Sezoni 2013/14, Fushë Kosova 12 pikë.
  • Sezoni 2014/2015, Ferizaj 14 pikë.
  • Sezoni 2015/16, Istogu 14 pikë.
  • Sezoni 2016/17, Hajvalia 6 pikë.
  • Sezoni 2017/18, Vllaznia e Pozheranit 4 pikë.
  • Sezoni 2018/19, KEK-u, 1 pikë.

Vlen të theksohet se të gjitha skuadrat e lartëpërmendura (përveç Kekut që ka ende lojë për të luajtur) nuk kishin arritur të mbijetonin në Superligë në sezonet përkatëse pas startit të dobët të stinorit.

SHPËRNDAJE